Shfaqja e rrallë në qiejt e Skocisë
Qiejt e Skocisë u bënë protagonistë të një shfaqje me të vërtetë të rrallë mbrëmjen e së shtunës, kur një meteor u pa qartë nga mijëra persona.
Një top i zjarrtë përflaku të gjithë qiellin rreth orës 21:40 të së shtunës, ndërsa më të shpejtët arritën të drejtonin celularët apo aparatet e tyre fotografikë drejt qiellit, duke kapur pamjet e spektaklit të rrallë.
Meteori, u pa qartësisht në Anglinë Veriore dhe në Skoci, ku disa qindra telefonata përmbytën centralet e policisë.
Ndonëse trupi qiellor nuk është identifikuar ende nga astronomët, besohet se ai është një prej mijëra fragmenteve hapësinorë që qarkullojnë midis Marsit dhe Jupiterit. Është i njohur fakti se vazhdimisht, këto fragmente qiellore shkëputen nga trajektorja e tyre e zakonshme dhe digjen në atmosferën e Tokës.
Ulje emergjence, pilotët sëmuren njëkohësisht
Një avion me më shumë se 200 pasagjerë në bord, i nisur nga Londra për në Afrikën e Jugut, u rikthye në aeroportin e nisjes, pasi në mënyrë të mistershme, pilotët dhe të 11 antarët e ekuipazhit u ndienë keq njëkohësisht.
Midis pasagjerëve ishte edhe këngëtari i grupit “Take That”, Gary Barlow, i cili komentoi përvojën e tij në rrjetin shoqëror “Twitter”.
Hetimi i ”British Airways”, kompania që operonte avionin, ka rritur edhe më shumë dozën e misterit, duke konfirmuar se aeroplani nuk kishte absolutisht asnjë problem.
Gjithashtu, përjashtohet mundësia e helmimit nga ushqimi i ngrënë në bord, pasi simptomat u shfaqën pak pas nisjes, atëherë kur ushqimet nuk ishin shpërndarë ende.
Ekspertët e aviacionit thanë për të përditshmen britanike “Daily Mail” se për shkak të ndonjë avarie të vogle në sistemin e ajrimit, ajri i kondicionuar mund të krijojë shqetësime.
Sidoqoftë, edhe nëse kjo do të ishte arsyeja, mbetet një mister përzgjedhja selektive e të prekurve, të cilët ishin vetëm antarë të stafit. Me provat në dorë, ka shumë gjasa që ngjarja të përfshihet në listën e mistereve të pazgjidhura të fluturimeve.
Bertone, makina me pamje fantashkencore
Në sallonin Gjenevë 2012 do të rikthehet një emër legjendar i historisë së automobilizmit: Bertone.
Pas kapërcimit të problemeve financiare, makina historike italiane feston 100 vjetorin e aktivitetit duke sjellë në ekspozitën zvicerane një veturë që ka impakt për syrin.
“Bertone Nuccio” (emri i themeluesit) do të jetë një makinë super sportive e frymëzuar nga një nga makinat e mëparshme të markës italiane, e famshmja Stratos Zero që bëri bujë në vitin 1970 sepse dukej si e dalë nga një film fantashkencë.
Nga aspekti teknik, Bertone Nuccio do të jetë e gjatë 4.8 metra, e gjerë 1.95 metra dhe e lartë 1.2 metra. Motorri V8 do të jetë i fabrikuar nga Ferrari.
Hungari, zgjidhet Miss në karrige me rrota
Është zgjedhur në Hungari Miss-i i parë në karrige me rrota. Bëhet fjalë për konkursin e parë të këtij lloji që zhvillohet në Europë dhe organizatorët e “Miss Colours” kanë njoftuar se ky konkurs do të jetë i përvitshëm.
Fituesja, një shitëse 26 vjeçare me emrin Katalin Eszter Varga, është kurorëzuar të shtunën. Në këtë konkurs të rrallë bukurie 50 konkurueset kanë sfiluar me këngë të Maroon 5 dhe Rihanna në sfond. Veshjet ishin stiluar nga Katti Zoob.
“Është e vështirë që personat me aftësi të kufizuar të hyjnë nëpër godina të ndryshme dhe shumë pak hotele ofrojnë shërbime për personat në karrige me rrota. Unë do të mundohem të promovoj përmirësimin e kushteve për njerëzit si unë”, theksoi Varga pas marrjes së çmimit.
Ky lloj konkursi është mbajtur për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1973.
Twitter vajton “vdekjen” e Mr.Bean
Një thashethem në internet mbi vdekjen e aktorit britanik Rowan Atkinson, i njohur gjerësisht si “Mister Bean”, u shndërrua në “epidemik” në “Twitter” mëngjesin e së hënës dhe tronditi me qindra mijëra fansa të tij në të gjithë botën.
Zëri mbi vdekjen e Atkinson u bë aq i besueshëm, sa që edhe enciklopedia online “Wikipedia”, për një periudhë prej disa orësh, vendosi në profilin e aktorit datën 27 shkurt si ditën e vdekjes.
Me dhjetëra mijëra persona në “Twitter” ngushëlluan aktorin në faqen e tij në “Twitter”. E gjithë kjo zhurmë u krijua nga një postim i vetëm i hedhur në rrjet nga një përdorues në Filipine.
Micheal Robert Meras postoi në profilin e tij në “Twitter”, ku kishte 753 ndjekës, statusin: “Lajme të reja nga Britania. Rowan Sebastian Atkinson (Mr. Bean) ndërroi jetë këtë mbrëmje”.
Vetëm dy orë më pas, i njëjti përdorues postoi një status të ri. “Zot i Madh! Isha unë ai që nisa zërat për Rowan Atkinson. Ishte vetëm një shaka”.
Më pas, ai kërkoi falje edhe për një herë të dytë. “Po largohem nga rrjeti. Edhe një herë më vjen keq. Shakaja për Atkinson ishte vetëm një shaka. Më vjen keq për të gjitha, nuk mendoja se statusi do të shndërrohej në epidemik”.
Fëmijët kuptojnë fjalët që 6-muajsh
Shkencëtarët kanë konfirmuar se fëmijët kuptojnë një numër shumë të madh fjalësh që kur janë 6-muajsh dhe nëse prindërit i flasin normalisht ata mund të përmirësojnë aftësinë e tyre të të folurit në të ardhmen.
Një studim nga psikologë britanikë del në përfundimin se fëmijët mund të kuptojnë fjalët shumë më përpara se sa të flasin duke hedhur poshtë hipotezat se të vegjlit fillojnë të kuptojnë vetëm pasi mbushin 1 vjeç.
Gjatë vrojtimit të 33 fëmijëve 6-9 muajsh, psikologët zbuluan se nëse i përsëritej disa herë emri i një objekti, shikimi i tyre shkonte pikërisht tek objekti në fjalë. Këto teste treguan se fëmijët e bëjnë lidhjen mes fjalës dhe objektit që kur mbushin gjashtë muajt e parë të lindjes.
“Ka pasur edhe më parë demonstrime se fëmijët kuptojnë fjalë si mami dhe babi, por studimi ynë kërkon të nxjerrë në pah nëse kuptonin fjalë të tjera shumë më specifike. Mendoj se rezultatet e këtij studimi japin një mesazh të madh për të gjithë prindërit. Mund t’i flisni normalisht fëmijëve tuaj sepse ata do ju kuptojnë edhe pse jo plotësisht”, shprehet Dr. Swingley, udhëheqësi i studimit.
Dosja e FBI: Steve Jobs i droguar, i pandershëm e koprac
“I droguar, i pandershëm dhe koprac me familjarët e tij”. Kështu përshkruhet Steve Jobs në një raport të hershëm të policisë federale amerikane.
FBI publikoi dosjen sekrete prej 191 faqesh në internet. Një dokument që rezulton shumë herë më “zbavitës” dhe e kundërta e biografisë zyrtare të babait të Apple e publikuar në “New York Magazine”.
Dokumenti i nis që nga viti 1985, kohë kur Jobs u paraqit në zyrat e federalëve për të kallëzuar një kërcënim që i bëhej nga një person anonim. “Më jep 1 milion dollarë, përndryshe do të hedh në erë”, ishte kërcënimi ndaj Jobs.
FBI hetoi cështjen në fjalë, por kurrë nuk u arrit tek shantazhuesi. Por emri i Jobs do të rishfaqej në dosjet e FBI-së si kandidaturë për President në Këshillin e Eksporteve nën administratën e George Bush (babai). Ishte një post i lartë dhe me përgjegjësi, post për të cilin institucionet konsultojnë të gjitha të dhënat e kandidatëve, edhe jeta e tyre personale.
Në grumbullimin e të dhënave për Jobs kanë kontribuar disa agjentë. Në raport babai i Apple përmendet si “përdorues i rregullt i drogës në vitet ’60-’70 (s’kemi të dhëna nëse e përdor akoma) dhe njeri pa integritet”.
“Shumë agjentë vënë në dyshim integritetin e Jobs si person, një njeri i gatshëm të mohojë të vërtetën dhe të shtrembërojë realitetin për të arritur qëllimet e veta. Në të kaluarën ai nuk u kujdes për vajzën e tij të ardhur në jetë nga një marrëdhënie jashtëmartesore. (Vajza e quajtur Lisa, lindi në vitin 1978 dhe u rrit nëpër institucionet e edukimit shtetëror pasi Jobs nuk njohu atësinë). Nga të dhënat e grumbulluara nga miqtë e ngushtë të tij, mund të themi se moraliteti i tij është i diskutueshëm”, thuhet ndër të tjera në dosjen e stërmadhe të FBI-së.
I vetmi fakt “pozitiv” në dosjen e Jobs është ai që pohon se babai i Apple nuk ka “të afërm në vendet komuniste”.
Dosja sekrete publikohet pak muaj pas vdekjes së Jobs që ndërroi jetë në 5 tetor të vitit të kaluar pas betejës së humbur me tumorin.